Gjergj Vyshka 10.03.2017 16:15
Në mesditë Izmir Smajlaj është pritur nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, i cili në emër të institucionit më të lartë të olimpizmit shqiptar i ka dhënë titullin “Mirënjohje” për arritjen e tij në Beograd. “Jam shumë i kënaqur, – tha Bezhani, – që si president i KOKSH pres një nga sportistët më të mirë në vend. Nuk është rastësi të marrësh dy medalje ari brenda një jave në Beograd. Ne do t’iu falënderonim si sportist, sepse jeni që tani përfitues i bursës olimpike, që do t’iu ndihmojë në përgatitjet e mëtejshme.”
“Sigurisht që do t’iu ndihmojmë për krijimin e kushteve stërvitore, ndërsa shpresojmë që rezultatet e mira t’i keni dhe në Botëror, po pse jo dhe në Olimpiadë”, – ka thënë ai. Ndërkohë, Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, që është dhe zëvendëspresident i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ka kërkuar që bursa për Izmirin të mos jetë 3-vjeçare, por të shtrihet në 4 vjet. “Ne shpresojmë që të gjithë këto pritje të mos i bëjnë dëm Izmirit dhe të rrisin shkallën e euforisë, sikurse ai duhet të jetë një kartolinë për të gjithë sportistët e tjerë”, – ka thënë ish-rekordmeni i kërcimit të gjati.
“Jo vetëm kaq, por ne shpresojmë që të mos ketë dhe dëmtime”, – ka shtuar ai. E vetë Izmiri ka falënderuar KOKSH-in, kurse trajneri i tij Vildan Tufi, duke përmendur emrat e sportistëve që ka stërvitur, kjo që nga Vera e Admir Bregu, apo dhe Hysni Bebeziqi, ka treguar se Izmiri duhet të arrijë në kufinjtë e 8.30 metrave. Dhe përpara Botërorit të Londrës, të paktën sipas Rulit, ai do të jetë pjesëmarrës në Kampionatin Evropian të vendeve të vogla në Maltë, apo dhe në Lojërat Islamike në Baku në Maj. E Ruli nuk ka harruar as Luiza Gegën, që sipas tij me vendin e 5-të në Evropian është e suksesshme.