AlbanianSport.com 10/10/2018 16:20
ASNN – Pezullimit të atletëve rusë nga të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare duket se po u vjen fundi. Kështu është shprehur kreu i atletikës botërore, Lordi Sebastian Koe. Ai tha për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) se vendimi për rikthimin e atletëve rusë në pistë mund të merret në dhjetor. Presidenti i Federatës Botërore të Atletikës (IAAF), pranoi se “duhet të presim dhe të shohim” nëse Agjencia Ndërkombëtare e Antidopingut (WADA) do të pranojë të heqë pezullimin 3-vjeçar të atletikës ruse.
Vendimi për pezullimin e atletëve rusë nga të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare hyri në fuqi në 2015 pasi Ministria Ruse e Sportit dhe Shërbimi Sekret u shpallën fajtorë për përfshirje në doping institucional. Tanimë, vëmendja e IAAF-it është përqendruar sërish në lejimin e Rusisë për të konkurruar në veprimtaritë ndërkombëtare. Për këtë qëllim, më 4 dhjetor 2018, do të mblidhet në Montekarlo Komiteti Ekzekutiv i IAAF-it.
Kur u pyet nëse do të ketë një vendim për rikthimin e atletëve rusë, 62-vjeçari u përgjigj: “Po, do të ketë disa vendime në dhjetor në Montekarlo. Më parë do të ketë një takim në javët e ardhshme me Federatën ruse të atletikës, siç kemi bërë gjithmonë në të kaluarën, ne do të presim për rekomandimet e grupit të punës.” Por për t’u pranuar sërish në atletikën ndërkombëtare, Rusia duhet të plotësonte dy kushte.
Së pari, autoritetet ruse duhet të pranojnë gjetjet e raporteve që zyrtarët e Ministrisë së Sporteve ishin të përfshirë në skemën për të mbuluar dopingun e atletëve të tyre. Dhe së dyti autoritetet ruse duhet të sigurojnë qasje në të dhënat nga testimi i mostrave në laboratorin e Moskës nga 2011-2015, në mënyrë që Njësia e Integritetit të Atletikës të mund të përcaktojë nëse gjetjet e dyshimta të raportuara në bazën e të dhënave të laboratorit të Moskës duhet të ndiqen.