Gjergj Vyshka 14.01.2016 09:20
Luiza Gega është e kualifikuar me normën A për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. E së bashku me Sidni Hoxhën në not, ky i fundit me normën B, ndërsa pritet edhe një konfirmim i fundit, përbëjnë dyshen e sportistëve shqiptarë që janë të kualifikuar me normë për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro”. E pranuar kjo në nëntor nga kryetari i Komisionit Teknik të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Gjergji Ruli, që është njëkohësisht edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës.
Konfirmuar një gjë e tillë jo vetëm në shpalljen e atletëve më të mirë të vitit 2015, por dhe në ceremoninë e Anketës së dhjetë sportistëve më të mirë të vitit 2015. Dhe ajo që i ka vënë “vulën” kësaj gjëje ka qenë së fundmi edhe një intervistë e Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, për AlbanianSport.com. Por sërish, edhe nëpërmjet medieve sportive, kanë ende dyshime për marrjen e normës së kualifikimit të Luiza Gegës.
Ndaj që nga Iten i Kenias, trajneri i sportistes, Taulant Stërmasi, ka qenë i detyruar të sqarojë opinionin, edhe sepse është në kërkim të një sponsori për Gegën në Rio de Zhaneiro. Sipas Stërmasit, Gega, e cila është rekordmene e Shqipërisë në 800, 1500, 3000 me dhe pa pengesa, 5000 metra dhe 10.000 metra, por njëkohësisht dhe fituese e medaljeve në Lojërat e Para Olimpike Evropiane, që qershorin e kaluar u zhvilluan në Baku të Azerbajxhanit, apo dhe në Kampionatin Ballkanik, e ka arritur tre herë normën e kualifikimit për në Olimpiadë brenda vitit.