AlbanianSport.com 15.01.2015 22:00
ASNN – Atletja e kombëtares shqiptare, njëherësh përfituese e bursës olimpike për në Lojërat “Rio de Zhaneiro 2016”, Luiza Gega, ka zgjedhur qytetin spanjoll të Tenerifes për fazë përgatitore.
Sipas asaj që raportojnë mediat shqiptare të ditëve të fundit dhe asaj që vetë Gega ka konfirmuar për AlbanianSport.com, rekordmenia kuqezi dhe fituesja e shumë medaljeve në arenën ndërkombëtare shoqërohet në stërvitje nga trajneri i saj, Taulant Stërmasi.
Zyrtarisht mësohet se Gega do të jetë e grumbulluar në Tenerife deri pak ditë përpara pjesëmarrjes së parë ndërkombëtare për 2015-tën që është Kampionati Ballkanik i Sallave të Mbyllura në Stamboll të Turqisë, më 21 shkurt.
Aty, ajo shkon si kampione në fuqi e Ballkanit. Më tej, angazhimi i ardhshëm do të jetë Kampionati Evropian i Pragës, që do të mbahet nga data 6, deri më 8 mars. Vitin e kaluar, Gega zhvilloi një fazë përgatitore në Afrikë.