AlbanianSport.com 05.06.2015 10:15
ASNN – Veprimtaria më prestigjioze vjetore e atletikës individuale, “Diamond Ligë”, ka zhvilluar mbrëmë garat e stacionit të 3-të të saj dhe destinacioni i radhës ka qenë kryeqyteti italian, Roma. Atletja shqiptare, Luiza Gega, konkurroi në garën e 1,500 metrave, ku u rendit e 8-ta, me kohën 4 minuta, 3 sekonda dhe 1 të qindtat, vetëm 38 të qindtat larg rekordit të ri kombëtar, që ajo e vendosi vetë në mesin e muajit maj në Doha të Katarit.
Atletja e mirënjohur shqiptare, Luiza Gega, vazhdon të shijojë një formë të shkëlqyer dhe të enjten në mbrëmje ka bërë një tjetër garë të shkëlqyer, duke vijuar të konfirmohet si një nga sportistet më të mira në botë, në garën e 1,500 metrave. Veprimtaria më prestigjioze vjetore e atletikës individuale, “Diamond Ligë”, ka zhvilluar mbrëmë garat e stacionit të 3-të të saj dhe destinacioni i radhës ka qenë kryeqyteti italian, Romë.
Ashtu sikundër kisht paralajmëruar duke folur për AlbanianSport.com edhe trajneri i saj, Taulant Stërmasi, në Romë pritej një garë e fortë dhe shanset për thyerjen e rekordit ishin të mëdha, pasi në pistë zbritën 5 më të mirat e botës në këtë disiplinë. Dhe, në fakt, ka rezultuar pikërisht kështu, sepse gara e Romës është karakterizuar nga një ritëm i lartë, çka ilustrohet edhe nga fakti se nga 7 sportistet që u renditën para atletes shqiptare, 6 prej tyre regjistruan kohët e tyre më të mira.
Ndërsa fituesja e garës, amerikania Xheni Simpson, regjistroi kohën më të mirë të vitit, me 3 minuta, 59 sekonda dhe 31 të qindtat. Vendi i dytë dhe i tretë ishin gjithashtu nën 4 minuta, ndërsa Luiza Gega u rendit e 8-ta, me kohën 4 minuta, 3 sekonda dhe 1 të qindtat, vetëm 38 të qindtat larg rekordit të ri kombëtar, që ajo e vendosi vetë në mesin e muajit maj në Doha të Katarit.
Me kohën e arritur në Doha, Gega ka kapur edhe normën e kualifikimit për në Lojërat e ardhshme Olimpike, “Rio 2016”, duke u bërë kështu e para sportiste shqiptare që siguron pjesëmarrjen në Olimpiadën e vitit të ardhshëm në Brazil.