Gjergj Vyshka 16.02.2016 11:40
Tirana ka pasur “poker” kampionësh në krosin kombëtar të vitit 2016,që dje është zhvilluar në Kodrat e Liqenit të kryeqytetit pranë shkollës jo publike “Uillson”. Por dhe pse janë “kampionë” me të rejat, të rinjtë, të rritura dhe të rritur, prapëseprapë, titulli i bardhebluve është përgojuar. Sajesë apo e vërtetë, gjithçka mbetet në ndërgjegjen e atyre që e kanë bërë dhe që e kanë parë, nëse kështu siç pretendohet, por që më pas kanë mohuar gjithçka.
Më saktë në përfundim të garës së të rriturve në distancën e 10 kilometrave nga Vllaznia është pretenduar se atletët e Tiranës janë tërhequr me biçikletë. Madje më parë se të thonë janë tërhequr, kanë dhënë opsionin e tyre për hipje mbi biçikletë për një pjesë të garës. Dhe për t’i dhënë zgjidhje problemit, kurse sipas shkodranëve atleti bardheblu që është tërhequr me biçikletë ka qenë Marko Makaj, kryegjyqtari Filip Nito ka grumbulluar gjyqtarët, por ka thirrur dhe sportistin e Tiranës për ballafaqim.
Pretendimi është kundërshtuar nga trajneri i Tiranës, Reinaldo Gjerazi, sikurse dhe nga atleti. E më pas është hedhur poshtë dhe nga gjyqtarët, të cilët kanë qenë të pranishëm çdo 100 metra në gjatësinë e korsisë së vrapimit. Pikërisht Gëzim Çorja, i vendosur në vendin ku atletët mund t’i binin shkurt për të dalë më pas në rrugën e duhur drejt finishit, ka thënë: “Nuk kam parë gjë”.
Në këto kushte, edhe me ndërhyrjen e Bledar Mesit për të qetësuar shkodranët, që në 10 kilometra për të rritur ka zënë vendin e dytë pas Ilir Këllezit, ndërsa në vendin e tretë është renditur Genci Lugja e pas tij dhe Nimet Gashi, debati është shuar. Por megjithatë shkodranët nuk kanë qenë krejtësisht të bindur, sepse e kanë lajmëruar gjyqtarinë që në mesin e garë e sipas tyre, tjetër kanë thënë pa mbërritur në finish e tjetër kur ka mbaruar vrapimi.
Krosi Kombëtar 2016
Rezultatet teknike:
4 kilometra (Të reja)
Relaksa Dauti (Tirana) 15’19”00
Si ekip: Tirana 7 pikë
6 kilometra (Të rinj)
Rexhino Bardhi (Elbasani) 21’05”06
Si ekip: Tirana 10 pikë
8 kilometra (Të rritura)
Ortisa Salillari (Teuta) 39’03”03
Si ekip: Tirana 9 pikë
10 kilometra (Të rritur)
Ilir Këllezi (Skënderbeu) 33’22”00
Si ekip: Tirana 12 pikë