Gjergj Vyshka 01.02.2016 11:15
Evropa e Atletikës zbret në “Elbasan Arena”, pista perurohet më 21 maj. Presidenti Hansen: “Federata juaj, në bashkëpunim me ato lokale, mund të bëjë kërkesë në Federatën tonë, apo atë ndërkombëtare, në mënyrë që të marrë “dritën jeshile” për zhvillimin e veprimtarive të tilla”. Presidenti i Federatës Evropiane të Atletikës, Svein Arne Hansen, ka inspektuar dje stadiumin “Elbasan Arena”, ku edhe ka parë nga afër pistën e re të tartanit.
Në fjalën e tij për mediet, Hansen u shpreh i kënaqur me punën e bërë dhe, në njëfarë mënyre, e çertifikoi pistën për mbajtjen e garave ndërkombëtare. “Është bërë një punë shumë e mirë dhe në të ardhmen do të mbahen gara ndërkombëtare në këtë stadium, – ka thënë ai duke folur për gazetarët e pranishëm gjatë këtij inspektimi. – Federata juaj, në bashkëpunim, me autoritetet lokale, mund të bëjnë kërkesë në Federatën Ndërkombëtare të Atletikës (IAAF).”
“Në këtë mënyrë, ata mund të marrin miratimin për zhvillimin e veprimtarive këtë pistë, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris atletikën kontinentale. – Shqipëria ka njohur shumë zhvillime gjatë tri herëve që unë kam mbërritur në vendin tuaj, në të gjitha sferat e jetës dhe sportit, duke mos përjashtuar sigurisht edhe atletikën.” Ndërsa Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, theksoi se kjo pistë e “Elbasan Arenës” ishte një arritje e madhe.
“Falënderojmë Kryeministrin Rama për këmbënguljen që pati në ndërtimin e kësaj piste dhe ne si Federatë do të mundohemi të gjejmë resurset për të bërë një tjetër pistë të tillë”, – ka deklaruar ai. “Përsa u përket veprimtarive, më datën 21 maj do të inaugurohet kjo pistë, ku do të marrin pjesë 11 shtete nga Ballkani dhe Evropa”, – shtoi Ruli, i cili, në inspektimin me Hansenin, kishte në krah edhe sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi.