AlbanianSport.com 01.02.2017 16:10
ASNN – Nuk është e thënë zhvendosja, qoftë edhe përkohësisht, në një kontinent krejt tjetër, siç është ai i Afrikës, të ofrojë pak qetësi për nënkampionen shqiptare të Evropës, Luiza Gega, e cila po vijon intensivisht fazën përgatitore në Kenia. Por, edhe pse shumë larg, atletja shqiptare “vizitohet” rregullisht nga oficerët e Antidopingut.
Kështu ka ndodhur edhe pak ditë më parë, ndërsa një mbrëmje, ajo është përballur me një kontroll “blic”, por që “Mbretëresha” kuqezi e ka marrë me sportivitet, pasi e quan një rutinë. Lajmin e pohuar vetë atletja në një prononcim për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”.
“Ky ishte kontrolli i pari për vitin 2017, – ka deklaruar ajo. – Por që vlen sa dy herë pasi e bëra në gjak dhe urinë. Për dijeni, vetëm për vitin 2016 kam kryer plot 18 kontrolle antidopingu. Aq sa bën i gjithë sporti shqiptar, bëj vetëm unë (qesh). Ka pak stres si procedurë, pasi në çdo lëvizje tënden duhet të bësh ndryshime.”
“Dhe me plotësimin e formularit të sistemit “Adams”, merret trajneri im, Taulant Stërmasi, – ka vijuar ajo. – Duhet të jesh shumë i vëmendshëm me plotësimin e të dhënave.” Sa i përket stërvitjes, medalistja e shumëfishtë kuqezi shton se ajo po vijon shumë mirë.
“Në datën 10 do të marr pjesë në një garë në Francë, – ka zbuluar Gega. – Është miting dhe e kam mbyllur konfirmimin, por pres edhe dy gara në vazhdim. Gara do të jetë në 3000 metra.” Më 10 korrik të 2016-ës, atletja Luiza Gega u shpall nënkampione e Europës në disiplinën e 3,000 metrave me pengesa.