AlbanianSport.com 16/09/2018 22:20
ASNN – Keniani Eliud Kipçoge vendosi një rekord të ri botëror në maratonën e Berlinit, duke vendosur kohën e re, 2 orë, 1 minutë e 39 sekonda. Gjatë 25 km të para, keniani është ndihmuar nga mjaft garues simulues. Kampioni olimpik 33-vjeçar, e uli kohën me 1 minutë e 18 sekonda nga ajo e mëparshmja e vendosur katër vjet më parë nga Denis Kimeto. Ky ishte përmirësimi më i madh në historinë e maratonës që kur Derek Klejton e përmirësoi me 2 minuta e 23 sekonda në vitin 1967.
“Jam shumë i lumtur dhe mirënjohës. Nuk gjej fjalë për të komentuar këtë arritje”, ishin fjalët e para të Kipchoges pas përfundimit të garës.“Fjalët e mia të vetme janë “Faleminderit!”, – tha Kipçoge, i cili vendosi epërsinë që pas 100 m të para. – Isha shumë i përgatitur për ta fituar garën time. Kisha besim në programet që zbatuam gjatë kësaj periudhe përgatitore me trajnerit tim.” “Rekordi botëror u arrit sepse unë kurrë nuk kam ndalur së besuari në vetvete”, – ka shtuar ai.
Kipçoge ka dominuar garën maratonë që prej debutimit të tij në Hamburg në vitin 2013, pas një karriere të suksesshme në pista duke fituar medaljet e arta dhe të argjendta në botërorët, 2003 e 2007 në 5000 metra dhe argjendi e bronzi në olimpiadat 2004 e 2008, në të njëjtën distancë. Ai ka shënuar 10 fitore në 11 maratonat që ka garuar, duke fituar tri herë jo vetëm në Berlin por edhe në Londër, Hamburg, Roterdam dhe Çikago për të arritur në medaljen e artë në Rio.
Me rekordin e vendosur në Maratonën e Berlinit, Kipçoge konfirmohet si një prej atletëve më të mirë të të gjitha kohërave, një legjendë e vërtetë. Kampion botë në 5.000 m në Paris, në vitin 2003 kur ishte 18 vjeç, si dhe kampion olimpik në maratonë, Kipchoge ka marrë pjesë në 10 gara të kësaj disipline, duket fituar 9 të tilla. Në Monza në vitin 2017, ai regjistroi kohën fantastike prej 2 orësh e 25 sekondash, por që nuk është regjistruar.