Gjergj Vyshka 30.05.2016 10:25
Për të katërtin vit radhazi është zhvilluar gjysmëmaratona e Beratit, në një gjatësi prej 21 kilometrash, ndërsa është nisur nga qyteti muze, deri në Urën Vajgurore, e më pas kthim. Një veprimtari kjo që ka pasur për organizator maratonistin e njohur beratas Gazmend Shehu, që ishte dhe vetë pjesëmarrës në këtë veprimtari të rëndësishme. Në edicionin e 4-t të kësaj maratone kanë vrapuar 48 atletë të moshave të ndryshme, ndërsa më të vegjlit në moshë ishin Rustem Halitaj 18 vjeç dhe Bianko Elezi 19 vjeç, madje ky i fundit është pjesë e skuadrës së futbollit të Skraparit.
Më i vjetri në moshë ishte 80-vjeçari Nexhat Xhemalaj, i cili ka shkaktuar dhe surprizën për të gjithë të pranishmit në këtë gjysmëmaratonë, e cila ka kaluar në pedonalen e qytetit. Ai e ka përfunduar vrapimin pa pasur probleme shëndetësore, ndërsa ka fiksuar kohën 2h24’07” duke qenë i 29-ti në renditjen e përgjithshme. Nisja e garës është dhënë në ora 11:00 në pedonalen e qytetit, atje ku do të ishte dhe finishi i saj. Gjithçka ka qenë nën masa të mira organizative jo vetëm nga sektori i sportit në Bashkinë e Beratit, por dhe nga forcat e rendit të këtij qyteti, që siguruan mbarëvajtjen e vrapimit.
Madje një kujdes të veçantë ka pasur dhe nga spitali rajonal i Beratit, atje ku një autoambulancë me mjekët përkatës ka qenë në gatishmëri të vrapuesve. Kryetari i Bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, së bashku me stafin e tij ka zbritur në terren për të ndjekur nga afër këtë gjysmëmaratonë në të cilën kanë marrë pjesë 48 vrapues; 24 vrapues nga Shqipëria, 18 nga Kosova, 3 nga Maqedonia. E ajo që binte në sy ishte dhe një vrapues nga Kili. Bëhet fjalë për Klaudia Garido 47 vjeç, e cila ka vrapuar në kohën 2h05’37”, ndërsa ishin 13 femra nga Kosova.
Gara në përgjithësi ka pasur rivalitet pas së cilës Ilir Këllezi me kohën 1h35’39” dhe Manushaqe Nura e Kosovës me kohën 1h49’25” janë fituesit e edicionit të katërt të kësaj gjysmëmaratone të Beratit. Edhe pse në temperatura të larta, qytetarët e kanë ndjekur këtë veprimtari, madje duke i shoqëruar dhe me biçikletë vrapuesit. Me entuziazëm është pritur mbërritja në finish e Gazmend Shehut, që në renditje ishte i 11-ti, si dhe e Sotir Qirjaqit. Në përfundim kryetari i Bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, ka dorëzuar kupat, medaljet dhe çmimet financiare për fituesit, të cilat kanë qenë të sponsorizuara nga “Katerina Firence” dhe Alfred Ziu.