Gjergj Vyshka 05.03.2017 22:50
Delegacioni shqiptar që mori pjesë në Kampionatin Evropian të Sallave të Mbyllura, kryesuar nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, Sekretari i Përgjithshëm, Nikolin Dionisi dhe anëtari i kryesisë, Oltion Luli, pritet të mbërrijë në Rinas në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Sipas burimeve, delegacioni shqiptar, në të cilin janë sportistët Izmir Smajlaj e Luiza Gega dhe trajnerët Taulant Stërmasi dhe Vildan Tufi, do të niset nga Beogradi në ora 00:20 të së hënës dhe pritet të mbërrijë në Rinas në ora 01:35 pas mesnate. Sigurisht pjesë e këtij delegacioni kanë qenë dhe familjarët e Izmirit.
Veçanërisht i ati Muhameti, për të cilin kampioni i Evropës pati deklaruar se e ka vazhduar sportin prej tij. E parashikohet të ketë pritje të zjarrta, ashtu sikurse dinë shqiptarët të presin kampionët e Evropës. Kurse në Rinas do të jenë sipas kampionit të Evropës nja 50 miq e shokë të tij, të cilët do të udhëtojnë me 6-7 makina nga Shkodra për të pritur Izmir Smajlajn, që do të jetë direkt në kryeqendrën e Veriut.