Gjergj Vyshka 07.10.2016 07:55
Izmir Smajlaj, rekordmeni i kërcimit së gjati me 8.03 metra dhe i kërcimit trehapësh me 16.30 metra, tashmë është pjesë e Klubit Shumësportësh “Studenti”. Zyrtarizimi i tij, si pjesë e klubit që drejtohet nga ish-portieri i kombëtares së Shqipërisë, por dhe i Partizanit e Tiranës, Blendi Nallbani, është bërë këtë fillimjave.
Ndonëse bisedat janë kryer që të hënën e javës së kaluar, ndërsa ndërmjetës për ardhjen e Smajlajt tek Studenti është dhe Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj. Smajlaj tashmë ka marrë letrat nga klubi shumësportësh “Vllaznia”, atje ku prej shumë muajsh është ankuar për mungesë të kushteve stërvitore.
Ai është detyruar që të udhëtonte drejt Elbasanit për një përgatitje të kualifikuar, dhe është bërë pjesë e Studentit. Në këtë mes Smajlaj ka ringjallur atletikën e munguar në klubin shumësportësh “Studenti”, që është krenuar për kampionët dhe rekordmenët e saj ndër vite, ndërsa trajneri i fundit i atletikës tek ky klub ka qenë Mirush Deliallisi.
E për këtë arsye, shefi i klubit shumësportësh Studenti, Blendi Nallbani, është më shumë se sa krenar. Nuk duhet harruar që Smajlaj me 7.75 metra ishte i 9-ti në Kampionatin Evropian në korrik në Amsterdam, kurse në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” me 7.72 metra ishte i 21-ti.