Gjergj Vyshka 15.12.2016 08:45
Izmir Smajlaj, rekordmeni i kërcimit së gjati me 8.03 metra dhe i kërcimit trehapësh me 16.30 metra, ka zgjedhur Stambollin për t’u përgatitur në mënyrë speciale për vitin që vjen. I 9-ti në Evropian, por i 21-ti në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, Smajlaj premton për të tjera rezultate të larta në arenën ndërkombëtare për vitin që vjen.
Kontributi që ka dhënë trajneri Vildan Tufi në përgatitjen e këtij sportisti, me ecejaket e herëpashershme në Elbasan për shkak të mungesës së kushteve në Shkodër, dhanë dhe efektet e veta në thyerjen e dy rekordeve kombëtare. E Smajlaj gjithçka e lidh me këtë trajner, ashtu sikurse ka nënshkruar një kontratë me Vllazninë, ndërsa tashmë nuk ekzistojnë marrëdhëniet me Studentin.
Paçka se kohë më parë shefi i klubit shumësportësh “Studenti”, Blendi Nallbani, ardhjen e këtij rekordmeni e çmoji si një vlerë të shtuar. Dhe për rrjedhojë me këtë përgatitje speciale në Stamboll, Smajlaj ka 3 objektiva ngjitjen në podium në Ballkaniadën e Sallave të Mbyllura, Evropianin e Sallave të Mbyllura dhe Botërorin e verës në Londër.