Gjergj Vyshka 15.12.2016 15:25
Rekordmeni i kërcimit së gjati dhe kërcimit trehapësh tregon objektivat për vitin 2017: “Dua të jem në podiumin e medaljeve në Ballkaniadë, Evropianin e sallave të mbyllura dhe në Botëror”.
8.03 metra rekordi i ri kombëtar që Izmir Smajlaj ka vendosur në verën e kaluar në kërcimin së gjati dhe kjo ka ndodhur më 21 maj në Mitingun Ndërkombëtar që u zhvillua në “Elbasan Arena”.
Ndërkohë, 16.30 metra rekordi i ri i kërcimit trehapësh që Izmir Smajlaj ka vendosur në kampionatin e 78-të kombëtar të të rriturve më 6-7 qershor 2016 në pistën e Stadiumit “Elbasan Arena”. Ja dhe intervista e tij për “Sport Ekspres”:
– Cila është gjendja aktuale dhe ku po bëni stërvitje?
– Unë që prej datës 5 dhjetor 2016 gjendem në Stamboll, atje ku do të qëndroj për 20 ditë. Kjo është faza e parë dhe në janar do të jem përsëri atje për një fazë të dytë. Përgjithësisht gjendja është e mirë dhe unë shpresoj që të kem rezultate shumë më të larta vitin që vjen.
– Si u mundësua kjo periudhë përgatitore në Stamboll?
– Me sa di unë nga Federata Shqiptare e Atletikës me ndërmjetësinë e saj në homologët turq. Por janë detaje që nuk më interesojnë shumë. Unë dua të kem kushte për t’u stërvitur dhe t’u përgatitur intensivisht dhe më pas të arrijë objektivat që kam.
– Si do ta vlerësonit vitin 2016; dy rekorde kombëtare, vendi i 9-të në Evropian, vendi i 21-të në Olimpiadë?
– Së pari vlerësoj punën që ka bërë trajneri Vildan Tufi me mua, sepse falë përkushtimit të tij në stërvitje i kam këto arritje. Nuk është pak të thyej dy rekorde, si në kërcim trehapësh, ashtu dhe së gjati, me rezultate që nuk janë arritur ndonjëherë në Shqipëri. Arrita të hyjë në finalen e kërcimit së gjati në Evropianin e Amsterdamit, ndërsa pjesëmarrja në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” . E të gjitha këto për mua është sukses.
– Cilat janë objektivat për vitin 2017?
– Së pari po ju bëj me dije se kam nënshkruar me Vllazninë dhe në Shqipëri nuk jam me asnjë ekip tjetër. Objektivat e mia janë që të jem “kampion ballkani” në sallat e mbyllura dhe më pas të jem në podiumin e medaljeve si në Evropianin e Sallave të Mbyllura në Beograd, ashtu dhe në Botërorin e verës në Londër.
– Por ju kohë më parë sikur u bëtë pjesë e Studentit?
– Jo, jo! Nuk kam lidhje me atë klub. Në Shqipëri jam vetëm pjesë e Vllaznisë.
– Së fundi, përsëri me thyerje rekordesh?
– Unë mendoj dhe besoj se viti 2016 do të jetë më i suksesshëm sigurisht me thyerje rekordesh. E nëse kam thyer dy rekorde vitin e kaluar, e theksoj dhe një herë, është falë trajnerit tim Vildan Tufi. Prej tij jam këtu ku jam sot. Shpresoj që ta valëvis flamurin në Beograd në Evropianin e Sallave të Mbyllura. Jam në superformë dhe pretendoj shumë. Por duhet ta kem dhe fatin me vete.