AlbanianSport.com 16.06.2016 23:40
ASNN – Sportistja e Skënderbeut, Iveta Urshini, është vetëm 18 vjeç dhe ka që në moshën 12-vjeçare që merr pjesë në garat e atletikës nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Vladimir Fëngjilli. Që në garat e para, në karrierën e saj, Urshini ka arritur të thyejë shumë rekorde në moshat 12, 14, 16 vjeç.
“Po, është e vërtetë që sapo kam thyer rekordin e të rejave në 100 metra dhe më bëhet shumë qejfi që arrita një rezultat vërtet fantastik, – ka deklaruar ajo për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”. – Mbi të gjitha justifikova punën shumëvjeçare bashkë me trajnerin tim Fëngjilli, por që asgjë nuk ka përfunduar.”
“Ju premtoj rekorde të tjera në vazhdim, – ka vijuar 18-vjeçarja. – Ndërkohë që, në Kampionatin Ballkanik për Të Reja, pas pak ditësh, premtoj edhe medalje. Synimi më i afërm i imi është thyerja e rekordit të garës së 200 metrave për të reja dhe jam e bindur që edhe këtë do ta arrij.”
“Falënderoj familjen time që më ka mbështetur shumë, trajnerin tim dhe do të përpiqem që në të ardhmen të jap edhe më shumë”, – ka përfunduar rekordmenia e 100 metrave për të reja, Iveta Urshini.