Gjergj Vyshka 03.06.2016 10:50
Luiza Gega është atletja e parë dhe e vetme me dy norma kualifikimi në Olimpiadën e Rios. Sipas trajnerit Taulant Stërmasi, “objektivi ka qenë që ajo të marrë pjesë në atë garë që ndihet më mirë e që në renditje është më lart”. “E për rrjedhojë 3000 metra me pengesa është gara e saj optimale”, – ka theksuar ai.
Deri më tani Gega ka bërë stërvitje në Korçë dhe në Dardhë, por problemi i saj është mungesa e gropës së ujit në 3000 metra me pengesa, çka detyron gjëra më të lehta për të vendosur rënien në atë gropë gjatë stërvitje. “Po ju them, – shpjegon Stërmasi, – që gjatë një stërvitje në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet jam detyruar të paguaj që ta mbushin me ujë gropën.”
“Dhe. kur jam kthyer në stërvitje pasdite kishte rënë 50 centimetra, – ka vijuar ai. – Në Elbasan gropën nuk e mbush askush përditë, ndërsa në Korçë duhet marrë pengesa dhe të vendosim ca sfungjerë që të bëjmë stërvitjen normale. Por të gjitha këto nuk janë normale”.
Dhe të hënën e të martën që do të bëhet Kampionati Kombëtar i të rriturve, Gega ka vendosur të bëjë 1500 metra me një kohë thjesht sa për të respektuar këtë garë. “Ne pretendojmë që në 3000 metra me pengesa të jemi të 9’20” dhe në Olimpiadë të jemi në 5-6 të parat. Sepse ajo është atlete e gjysmëdistancave dhe lart”, – ka përfunduar Stërmasi.