AlbanianSport.com 10.09.2016 12:25
ASNN – Gjergj Ruli do të vijojë të jetë në krye të FSHA-së edhe për katër vitet e ardhshme. Pas mbledhjes së asamblesë zgjedhore ditën e djeshme në qytetin e Elbasanit, Gjergj Ruli mori 19 vota nga 19 të mundshme për të vijuar punën si president i FSHA-së. Fillimisht në garë kanë qenë dy kandidatë, por Zhuje Bajko është tërhequr nga kandidimi për presidente pak para nisjes së votimit.
Ndërkohë, nga 23 klube me të drejtë vote, vetëm 19 prej tyre u paraqitën në këtë asamble. Ky mandat është i treti për Rulin në këtë federatë, i cili mori në unanimitet votat e të gjithëve. Pasi përfunduan zgjedhjet për presidentin e FSHA-së, nisën votimet për të zgjedhur anëtarët e Komitetit Drejtues në këtë federatë. Në garë morën pjesë 8 kandidatë për 6 vende dhe nga 19 fletë votimi vetëm njëra rezultoi e pavlefshme.
Kështu, nga 6 anëtarë të këtij komiteti, 5 prej tyre u konfirmuan në këtë pozicion dhe vetëm Niko Laro është prurje e re. Për sa i përket votave pëlqimin më të madh e morën Ferdinant Canaj dhe Zhuje Bajko me nga 18 të tilla. Për të vijuar më pas me Hamit Demirin dhe Kostandin Mullën me nga 17 dhe mbyllur me Oltion Lulin dhe Niko Laro me nga 12.
Ndërkohë Arben Mlloja me 8 vota dhe Valbona Lauka me 6 nuk ia dolën të zinin një vend në Komitetin Drejtues në këtë federatë. Përgjithësisht mbledhja u zhvillua e qetë, ndërsa nuk ka pasur kontestime.