Gjergj Vyshka 06.01.2017 08:45
Prej më shumë se tre javësh, ndërsa edhe Viti i Ri duke bërë “Gëzuar” në pistë, është festuar në Kenia, Luiza Gega është duke u stërvitur me intensitet të lartë, tanimë e shoqëruar edhe nga trajneri i saj, Taulant Stërmasi.
Pavarësisht mungesës së oksigjenit për shkak të lartësisë së madhe ku është duke u zhvilluar stërvitja, që do të jetë themeli i garave dimërore dhe verore, të paktën sipas Stërmasit gjithçka është duke u përballuar mirë nga Gega.
“Deri më tani, – thotë Stërmasi për “Sport Ekspres”, – ka shkuar gjithçka mirë. Është e lodhshme të themi të drejtën, sepse mungesa e oksigjenit këtu ku jemi ne bëhet pengesë. Por, megjithatë, punë pa dhimbje nuk ka dhe nuk arrihet asgjë pa të.”
E ndërkohë që të gjithë në Shqipëri, apo anembanë botës kanë bërë “Gëzuar” në ndërrimin e viteve, për Stërmasin dhe Gegën ka qenë një ditë e zakonshme stërvitore në pistë. “Viti i Ri ishte për ne si çdo ditë tjetër stërvitore”, – ka rrëfyer trajneri.
“Me dy seanca stërvitore në ditë dhe një përgatitje e fortë, e cila shkoi mirë dhe jam i kënaqur. Fjala Viti i Ri këtu është thjesht informacion nga mediat “online”, sepse me të thënë të drejtën këtu as nuk ndjehet dhe as nuk festohet”, – nënvizon Stërmasi.