AlbanianSport.com 15.05.2015 22:30
ASNN – Luiza Gega është renditur e 5-ta midis 16 sportisteve më të mira në botë të kësaj disiplina, me kohën 4 minuta, 2 sekonda e 63 të qindtat dhe kjo kohë shënon edhe thyerjen e rekordit kombëtar të 1,500 metrave, të cilin Luiza Gega e mbante vetë me 4 minuta, 3 sekonda e 12 të qindtat.
Përveç kësaj, me kohën e arritur sonte në Doha të Katarit, Luiza Gega ka kapur edhe normën e kualifikimit për në Lojërat e ardhshme Olimpike, “Rio 2016”, duke u bërë kështu e para sportiste shqiptare që siguron pjesëmarrjen në Olimpiadën e vitit të ardhshëm në Brazil, pasi norma olimpike ishte nën 4 minuta e 6 sekonda.
“Jam shumë e lumtur që sezonin tim veror e hapa me kohën më të mirë personale në 1,500 këtu në Doha, në “Diamond Ligën” e 2015-tës, – ka deklaruar atletja shqiptare duke folur pas gare. – Sigurisht që ky është një lajm i mirë për mua dhe vendin tim, që tashmë ka një rekord të ri në 1,500 m, në kategorinë e femrave.
“Falënderimi im më i madh shkon për trajnerin tim (TauIant Stërmasi), për punën e madhe që bën me mua, duke bërë më të mirën e tij në kushte minimale për stërvitje, – ka vijuar Gega. – Tani që e kam kaluar dëmtimin, shpresoj që që ky sezon do të jetë më i mirë në përpjekjet për të arritur rezultate më të larta.”
Nëpërmjet rrjetit social, “Facebook, trajneri Taulant Stërmasi e ka uruar atleten e tij, ndërsa ka theksuar faktin se kjo është hera e parë që arrihet nga një sportiste shqiptare një rezultat i tillë.