AlbanianSport.com 19.04.2016 09:35
ASNN – Ethiopia dominoi në maratonën e Bostonit, të zhvilluar të hënën, duke marrë kreun e podiumit si tek meshkujt, me Lemi Berhanu Hejlin, ashtu edhe tek femrat, me Atsede Bajsan.
Kjo ishte hera e parë që vendi afrikan i njohur për prodhimin në masë të atletëve të garave të gjysmëthellësisë dhe thellësisë i fiton të dyja medaljet e arta në këtë veprimtari historike, që është njëkohësisht edhe maratona më e vjetër e përvitshme.
Amerikania Tatjana MejFejden triumfoi për të 4-tin vit radhazi në kategorinë e personave me aftësi të kufizuara fizike, ashtu sikundër bëri në këtë kategori tek meshkujt edhe zvicerani Marsel Hug, që mbrojti titullin e fituar vjet.
Edicioni i 120-të i kësaj gare historike u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, pasi vetëm 3 vite më parë Maratona e Bostonit u bë shënjestër e një sulmi terrorist që shkaktoi 3 të vdekur dhe të paktë 264 të plagosur.
Madje disa nga të mbijetuarit e atij sulmi morën pjesë në garën e së hënës. Më tepër se 500 policë, zjarrëfikës dhe staf mjekësor ishin përfshirë në sigurinë dhe mbarëvajtjen e kësaj gare.