AlbanianSport.com 03.03.2017 18:45
ASNN – Kanë nisur sot paradite garat e Kampionatit Evropian të Atletikës në Salla të Mbyllura, që po mbahet në Beograd. Në këtë veprimtari, Shqipëria po merr pjesë me dy prej sportistëve të saj më spikatur. Bëhet fjalë për Luiza Gegën, që është edhe nënkampione në fuqi e Evropës në 3,000 metra me pengesa, si dhe për kampionin e sapokurorëzuar të Ballkanit në kërcimin së gjati, Izmir Smajlaj.
Sonte ka zbritur në pistë atletja Luiza Gega, e cila ka garuar në baterinë e 3-të kualifikuese të garës së 1,500 metrave. Shqiptarja shtatshkurtër ka bërë një garë kryesisht të qetë, duke administruar energjitë dhe duke u mjaftuar për në finalen e kësaj gare, që do të jetë të shtunën në mbrëmje. Gega ka mbërritur në finish me kohën 4 minuta, 13 sekonda e 40 të qindtat, që i ka mjaftuar asaj të jetë Brenda 9 kohëve më të mira që kualifikohen për në finale.
Ndërkohë, paradite, ka qenë Izmir Smajlaj ai që ka zbritur sot i pari në pistë për garat kualifikuese të kësaj disipline. Ndryshe nga gara e para disa ditëve, të mbajtur po në Beograd, ku theu rekordin kombëtar në salla të mbyllura me provën e 6-të dhe të fundit me 7 metra e 98 centimetra, shkodrani e ka arritur këtë largësi sot që me provën e parë.
Kësisoj, duke barazuar rekordin e vet, ai ka siguruar edhe vendin në finalen e së shtunës, që do të zhvillohet në mbrëmje.