AlbanianSport.com 21/07/2022 23:25
ASNN – Ka shkuar në Kazakistan medalja e artë e fituar në garën e 3,000 m me pengesa në konkurrimin për femra, aty ku mori pjesë edhe atletja shqiptare Luiza Gega. Edhe pse fituesja është e lindur dhe rritur në Kenia. Në flakjen e diskut medalja e artë ka shkuar për kinezen Feng. Norah Jeruto me origjinë nga Kenia fitoi medaljen e artë në Botërorin e Atletikës, që po zhvillohet në Oregon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë Botëror ajo konkurroi për Kazakistanin në disiplinën e 3,000 m me pengesa. Jeruto shënoi kohën e 3-të më të shpejtë në histori dhe një rekord kampionati prej 8 minutash 53 sekondash e 2 të qindtash. Për Kazakistatin ky është titulli i parë botëror i arritur në histori, pas 3 medaljeve të argjendta. Atletja më e mirë evropiane në këtë garë ishte shqiptarja Luiza Gega me kohën 9 minuta, 10 sekonda e 4 të qindtat, që është edhe një rekord kombëtar.
Në flakjen e diskut, ishte kinezja Feng Bin që arriti rezultatin 69.12 metra, duke e përmirësuar me më shumë se 3 metra rezultatin e saj të mëparshëm prej 66.00 të arritur në në Pekin në muajin prill. Sandra Perkoviç e Kroacisë, dy herë kampione olimpike dhe dy herë kampione bote, mori vendin e dytë dhe fitoi medaljen e argjendtë me 68.45 metra. Pas 6 ditësh gara në Botërorin e Atletikës që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë dhënë 27 medalje nga 49 të mundshmet.
Dhe vendi organizator dominon me 6 medalje ari, 5 argjendi dhe 8 bronzi, me 185 pikë në klasifikimin në përgjithshëm.