AlbanianSport.com 15/01/2024 21:40
ASNN – Në lidhje me kritikat e atletes Luiza Gega, për mosdhënien e shpërblimeve për vitin 2023, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve (MAS). E pyetur nga e përditshmja sportive shqiptare “Panorama Sport”, ministria ka reaguar duke thënë ndër të tjera se rekordmenia kuqezi ka marrë 13 shpërblime në bazë të rezultateve që ka arritur.
“Mbështetja e sportistëve elitarë është në qendër të politikave të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, – thuhet në reagimin e plotë të saj. – MAS-i i ka mbështetur dhe mbështet në vazhdimësi sportistët elitarë dhe trajnerët e tyre përmes mbështetjes për federatat dhe përmes shpërblimeve direkte për rezultatet që kanë arritur në gara në arenën ndërkombëtare.”
“Shpërblimet e dhëna bazohen në parashikimet e nenit 27 të Ligjit 79/2017 “Për sportin” i ndryshuar dhe akteve nënligjore që rrjedhin prej tij, – vijon më tej reagimi në fjalë. – Vetëm për vitin 2023, shpërblimet e sportistëve elitarë kanë rezultuar rreth 55 milionë lekë për 23 prej tyre, por edhe për trajnerët përkatës, për arritjet në sportet që përfaqësojnë.”
“Atletja jonë Luiza Gega, është mbëshetur gjatë dy viteve të fundit me 13 shpërblime për 10 gara ndërkombëtare, bazuar në arritjet e saj, që nga niveli botëror deri te ai Ballkanik, pesë prej të cilave janë shpërblime për arritjet e vitit 2023. Do të vijojmë edhe gjatë këtij viti, duke qënë dhe një vit olimpik, mbështetjen për sportistët tanë elitarë”, – ka përfunduar reagimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve (MAS).