Gjergj Vyshka 14.01.2015 08:25
Ashtu sikurse ishte paralajmëruar dhe më parë, të hënën në mesditë, në mjediset e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, është bërë certifikimi i 24 trajnerëve të atletikës shqiptare, të cilët ishin pjesëmarrës të kursit teknik të këtij sporti. Një kurs i cili është zhvilluar nga data 3, deri më 12 janar, ndërsa ka pasur për udhëheqës sllovenin Bostjan Bradeshko dhe boshnjaken Vahida Koziç, të cilët ishin në Tiranë si ekspertë të Federatës Botërore të Atletikës.
Kursi i ofruar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, kjo në mbështetje të Federatës Shqiptare të Atletikës, ishte pjesë e programeve zhvilluese për trajnimin dhe kualifikimin e specialistëve të sportit shqiptar. Janë kurse të mbështetura nga Solidariteti Olimpik dhe të mbështetur teknikisht nga Federatat Botërore, në këtë rast e Atletikës. Ndonëse kursi, sipas të dhënave që jep Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar në faqen e saj të “Facebook”-ut, ka qenë tejet intensiv, të gjithë kandidatët e pranishëm ia dolën me sukses.
Dhe kjo si në testimin praktik, ashtu dhe teorik, ndërsa të gjithë këta trajnerë të kualifikuar janë të licencuar me certifikatën e nivelit të parë të Federatës Botërore të Atletikës. Që do të thotë se janë të gatshëm për të promovuar dhe zhvilluar këtë sport në vendin tonë, sidomos me një theks të veçantë tek fëmijët. Në përfundim të këtij kursi, ekspertët e Federatës Botërore të Atletikës, Bostjan Bradesko dhe Vahida Koziç, janë shprehur të kënaqur për nivelin dhe angazhimin e pjesëmarrësve.
E jo vetëm kaq, por kanë qenë të kënaqur dhe në zhvillimin me sukses të këtij kursi për trajnerët e atletikës në vendin tonë.