AlbanianSport.com 08.02.2017 12:15
ASNN – Federata Ruse e Atletikës ka marrë një tjetër goditje të rëndë, pasi është pezulluar nga pjesëmarrja në Kampionatin Botëror, që do të zhvillohet në muajin gusht në Londër. Lajmin e bën të ditur Federata Ndërkombëtare e Atletikës, pas mbledhjes së zhvilluar në Montekarlo.
Në bazë të këtij vendimi, atletët, që kanë vërtetuar në testet antidoping se nuk kanë marrë substanca të ndaluara, mund të garojnë, por me flamurin neutral dhe jo atë të Rusisë.
Sipas Federatës Botërore të Atletikës, 33 atletë rusë kanë bërë kërkesë që të marrin pjesë në Botërorin e Atletikës në Salla të Mbyllura, që do të zhvillohet në Beograd gjatë muajit mars.
Dhe ata mund të bëjnë të njëjtën gjë edhe për evenimentin e Londrës pas disa muajsh. Federata ruse është pezulluar në datën 13 nëntor 2015 pas akuzave për ngritjen e një sistemi dopingu të organizuar nga institucionet shtetërore.
Ishte Agjencia Ndërkombëtare Antidoping që dha alarmin e para dhe më pas Federata Ndërkombëtare mori masën ekstreme në dëm të Rusisë. Kreu i IAAF, Sebastian Koe, njoftoi se Federata ruse nuk do të riintegrohet përpara vitit 2017.