AlbanianSport.com 20/07/2022 20:15
ASNN – Vazhdon në Oregon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Kampionati Botëror i Atletikës dhe e papritur ka qenë fitorja e Dos Santosit në garën e 400 metrave me pengesa. Braziliani ka mundur kampionin olimpik të kësaj gare, Uorholm. Në 1500 metra triumfon Uajtman, ndërsa në kërcim së larti për femra medaljen e artë e fiton australiania Peterson.
“Ai është djali im dhe është “kampion bote””. Kjo ishte fjalia emocionuese që u pasua nga shpërthimi në lotë i Geof Uajtman, babai i Xhejk Uajtman, i cili u shpall “kampion bote”. Nuk ndodh shpesh që të komentosh fitoren e fëmijës tënd dhe këtë fat e ka pasur komentatori dhe ish-atleti Geof, babai i Xhejkut, që ia ka ngjizur dëshirën e sportit djalit të tij shumë vite më parë.
Kampioni i ri i botës në 1,500 m është britaniku i parë që fiton në këtë disiplinë që prej kohës së Lordit Sebastian Koe. Ndërkohë, babai i tij, duket se nuk e ka marrë veten nga kjo arritje ku ai ishte dëshmitari më okular i mundshëm i suksesit të djalit të tij, ndërsa aty në shkallë ishte edhe bashkëshortja e tij, e ëma e atletit të ri.