Albaniansport.net 26.01.2016 18:00
ASNN – “Laminë Diak e ka zhytur atletikën botërore në abuzime të mëdha”. Kështu ka thënë presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bah, për mënyrën e administrimit të ish-presidentit të Federatës Botërore të Atletikës, në një intervistë për revistën gjermane “Kicker”.
Dhe shton: “Tani rruga është e vështirë në ngjitje, por presidenti i ri, Sebastian Koe, i ka bërë mirë hapat e parë”. Ndërkohë, për shkak të skandalit të dopingut, Komiteti Olimpik i Rusisë ka pezulluar katër atletë e më konkretisht, medalisten e argjendtë në 800 metra në Kampionatin Evropian të Helsinkit, Marasheva.
Po kështu është pezulluar hedhësja e çekiçit Lukvanona, e cila ishte e argjendtë në Botërorin e të rinjve. Të dyja këto për dy vjet. Po kështu për katër vjet është pezulluar atletja e 400-metrave, Nikulina, dhe ajo e 800-metrave, Nikolajeva.