Gjergj Vyshka 27.05.2016 14:20
Ndryshe nga çfarë ishte lajmëruar dy ditë më parë nga Federata Shqiptare e Atletikës, Kampionati i 7-të Kombëtar i Vrapimit në Mal, që ishte parashikuar për sot pranë Kodrave të Liqenit në Tiranë, nuk do të zhvillohet.
Ky është njoftimi që ka dhënë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi, i cili ka bërë të ditur se bllokimi i të gjitha rrugëve për shkak të zhvillimit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, nga data 27, deri më 30 maj 2016 në Tiranë, bëhet shkak për shtyrjen e kësaj veprimtarie sportive në kryeqytet.
Siç dihet, apo siç është njoftuar nga Policia rrugët që të çojnë pranë Pallatit të Kongreseve, së bashku me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të jenë të bllokuara për qarkullimin e makinave.
Jo vetëm kaq, por përreth Pallatit të Kongreseve nuk do të lejohet dhe kalimi i këmbësorëve. Kështu, do të jetë e vështirë për të hyrë dhe për të dalë tek Kodrat e Liqenit.
Prandaj, Federata Shqiptare e Atletikës e ka shtyrë Kampionatin e 7-të Kombëtar të Vrapimit në Mal për një datë tjetër, që, siç ka lajmëruar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi, do të lajmërohet edhe për mediat.