AlbanianSport.com 08.01.2017 20:45
ASNN – Natyrisht, ky është një realitet i hidhur për sportistët shqiptarë, i prekshëm çdo ditë për ta. Këtë radhë, është rekordmeni i atletikës shqiptare, Izmir Smajlaj, ai që bën apel për mbështetje nga shteti. I “dënuar” për t’u stërvitur jashtë Shqipërisë për shkak të mungesës së infrastrukturës në vend, shtatlarti shkodran shprehet se ky sport ka kosto të lartë financiare, një pjesë të së cilës e mbulon familjarisht.
Është pikërisht kjo arsyeja që ai kërkon një vend pune për të ulur sadopak shpenzimet e fazës përgatitore. “Nuk ka shumë që kam ardhur nga një fazë përgatitore intensive trijavore nga Stambolli, – ka rrëfyer ai për të përditshmet sportive shqiptare. – Përgatitja shkoi shumë mirë, nën kujdesin e një trajneri ukrainas. Bëra këtë zgjedhje sepse në Shqipëri nuk ekziston një sallë e mbyllur për stërvitje.”
“Nëse këto kushte do t’i kishim në Shqipëri, nuk kishim për t’u larguar kurrë, – ka vijuar atleti shkodran. – Por këtu ka një pasiguri të madhe, ndaj vendosim të zhvillojmë stërvitjen në një vend tjetër. Nga shteti kam pasur mbështetjen e federatës dhe Komitetit Olimpik, por kërkoj një vend pune sepse është e domosdoshme. Sporti ka shpenzime të mëdha dhe thuajse çdo gjë e mbuloj falë familjes sime.”
“Në Shqipëri, po të mos kesh të ardhura të mjaftueshme, është shumë e vështirë të bësh sport sepse shteti të garanton pak”, – ka përfunduar atleti i kombëtares shqiptare, pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Evropiane të 2015-ës në Baku të Azerbajxhanit, por edhe në ato të Rios de Zhanerios në gushtin e 2016-ës, ku nuk shkoi dot në fazën finale.