AlbanianSport.com 13/01/2024 23:10
ASNN – Në fakt, përtej fasadës pompoze të pritjeve dhe shfrytëzimit të suksesit të sportistëve për përfitime politike, absurdet nuk ndalen sa i përket trajtimit të sportistëve. Dhe është as më shumë e as më pak por vetë rekordmenia e atletikës shqiptare Luiza Gega ka kritikuar Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për mosdhënien e një shpërblimi. Kampionia kombëtare dhe e Evropës në një reagim në rrjetin social “Instagram” shkroi se nuk ka marrë shpërblimin që i takonte, me arsyetimin se nuk i është nënshtruar kontrollit të dopingut.
Gega vë në dukej faktin se ka që në 2023 që është në këtë sistem, që e mbështet, pasi kërkon t’u tregojë të rinjve që gjërat e mëdha arrihen dhe duke punuar fort. Rekordmenia shqiptare vuri në dukje faktin se nuk ka asnjë sportist në vend që kryen kontrolle aq sa ajo. Por qasjen e ministrisë së Arsimit dhe Sporteve nuk e kupton. “Si për çudi marr vesh që Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk më jep shpërblim për një aktivitet ku nuk paska patur kontroll, ku sportistët nuk e dinë nëse ka apo s’ka kontroll, por detyra jonë është që të jemi gati sa herë na kërkojnë për të bërë kontroll”, – shkruan ajo në një postim në profilin e saj në rrjetin social “Instagram”.
Atletes i vjen keq, që ka investuar gjatë gjithë jetës, e vetëm në dy vitet e fundit ka arritur të marrë diçka, me djersën e saj dhe prandaj kërkon më shumë mbështetje nga autoritetet shtetërore. “Aq më tepër që jam në vitin më të rëndësishëm, vitin olimpik, – ka vijuar ajo më tej në postimin e saj. – Por për fat të keq askush nuk e kupton rëndësinë e këtij viti. Unë nga institucionet përkatëse për të më thënë “Bravo”, kam nevojë që të më japin atë që më takon dhe të përpiqen më shumë për sportin. Faleminderit dhe nuk do ta lë me kaq!”
Në fakt, Gega i ka dhënë rekorde dhe medalje atletikës shqiptare. Në gusht të vitit 2022, ajo u shpall “kampione” e Evropës në disiplinën e 3,000 metrave me pengesa. Hëpërhë ajo ndodhet në Kenia, aty po zhvillon një fazë përgatitore për sezonin e ri.