Edhe dy muaj më pas, atletika shqiptare i ka marrë lavdërimet e saj për Kupën e Nderimit të Figurave “Albert Huantoreno”, që u zhvillua në pistën me tartan të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” më 25 qershor. Të paktën Huantoreno, ish-rekordmeni i botës në kërcim së gjati, jo vetëm në përfundim të aktivitetit, por dhe më pas, sidomos edhe gjatë Evropianit të Zyrihut, i ka shprehur falënderimet drejtuesve të Federatës Shqiptare të Atletikës dhe ka folur me nota pozitive për këtë veprimtari.
Por duket se nuk kanë qenë të të njëjtit mendim instancat shtetërore, të cilat, sipas burimeve të sigurta, e kanë cilësuar Kupën “Alberto Huantoreno” të një niveli të ulët. Ndoshta për numrin e pakët të ekipeve që morën pjesë, që ishte rrjedhim dhe i faktit se skuadrat evropiane tre ditë përpara aktivitetit kanë qenë pjesëmarrës ashtu sikurse Shqipëria në Kupat e Evropës.
Por kjo nuk do të thotë se do të mund t’i vihen “shkopinj nën rrota” atletikës dhe drejtuesve të saj, të cilët janë duke e mbajtur këtë sport gjallë pa infrastrukturën e duhur dhe me rrezikun që edhe ajo që është do të mund të prishet një ditë. Por mbi të gjitha janë duke e mbajtur në “fije të perit”. Është një ndër Federatat që përmbush të gjithë kalendarin sportiv kombëtar dhe ndërkombëtar.
Dhe për të gjitha ato rekorde kombëtare të Luiza Gegës dhe Izmir Smajlajt, apo dhe për medaljet ndërkombëtare, deri në titullin “kampion Ballkani”, atletika shqiptare duhet parë me sy tjetër nga instancat shtetërore. Për të mos thënë nesër drejtuesit e atletikës shqiptare që na vlerësojnë dhe na uron Bota, por na përbuz Shteti. Keq, apo mirë, me infrastrukturë të dobët dhe me financë zero, atletika shqiptare ka tre vjet rresht që bën miting ndërkombëtare.
Një herë për Pietro Menean, më pas për Robert Emian dhe së fundmi për Alberto Huantorenon. Dhe të tre këto aktivitete jo vetëm që janë vlerësuar nga ndërkombëtarët, por në një mënyrë tjetër Shqipëria mund të jetë në hartën e veprimtarive ndërkombëtare. Ndaj duhet parë ndryshe nga të gjithë, sidomos nga instancat shtetërore.