AlbanianSport.com 04.04.2016 12:30
Atletika shqiptare dje ka qenë në zi, ndërsa është ndarë nga jeta një nga themeluesit e këtij sporti në vend. Bëhet fjalë për Albert Kojën, Mjeshtrin e Merituar të Sportit që në vitin 1952, ndërsa është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare. Koja ka qenë vrapues në distancat 400, 800 dhe 1500 metra dhe në karrierën e tij numëron 20 rekorde kombëtare, 31 tituj “kampion” dhe 100 gara kombëtare.
Mbahet mend për thyerjen e tre rekordeve kombëtare të para luftës në 400, 800 metra dhe pesëgarësh. E ka nisur karrierën e tij tek Tirana më 1947. Më pas nga 1953-shi, deri më 1961-shin do të ishte atlet i Dinamos. E më pas nga 1963-shin, deri më 1973-shin ka qenë instruktor, trajner dhe kryetrajner i Dinamos. Jo vetëm kaq, por është pjesëmarrës në disa veprimtari ndërkombëtare.
Ndërsa nga 1951-1973 është trajner i ekipit kombëtar. Për të gjitha këto atribute, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, i ka shprehur ngushëllimet e tij familjes Koja për humbjen e një figure të ndritur të atletikës shqiptare. Dhe bashkë me ngushëllimin e presidentit Ruli bashkohet edhe AlbanianSport.com. Sepse Albert Koja ishte ndër themeluesit e atletikës shqiptare.