AlbanianSport.com 19/02/2020 23:15
ASNN – Luhen takimet e para të dy çifteve të tjera të turit të 16-shes të Ligës së Kampioneve. Të mërkurën në mbrëmje janë luajtur takimet e para të dy çifteve të tjera të turit të 16-shes të Ligës së Kampioneve. Atalanta ka shtangur Valencian, duke e mundur thellë, 4-1 në shtëpi, ashtu sikundër ka bërë në fushë të huaj edhe Lajpcigu, që ka marrë një fitore minimale, por të vyer ndaj Totenhemit.
Kështu, Liga e Kampioneve ka vijuar të mërkurën fazën me eliminim të drejtpërdrejtë, teksa janë luajtur takimet e para të dy çifteve të tjera të turit të 16-shes. Dhe Atalanta, që ka qenë padyshim një nga të papriturat e këndshme të këtij sezoni të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit, ka dhuruar një tjetër mbrëmje të paharrueshme në takimin e zhvilluar në Stadiumin “San Siro” të Milanos.
Skuadra italiane ka mposhtur Valencian me rezulton 4-1, me dy gola të shënuar në pjesën e parë dhe po aq në të dytën. Ndërkohë, goli i ngushëllimit për spanjollët u realizua në 45 minutat e dyta. Italianët kanë kaluar në epërsi brenda 16 minutash lojë me anë të Hateborit, ndërsa 3 minuta para fundit të pjesës së parë, Iliçiç dyfishon shifrat.
Në pjesën e dytë, Freuler do t’i çojë në 3-0 shifrat për vendasit në minutën e 57-të, ndërsa Hatebori do të gjejë golin e dytë vetjak në këtë përballje 6 minuta më pas. Ndërkaq, ka qenë e luftuar, por më ka prodhimtare në gola ndeshja e parë e çiftit tjetër të turit të 16-shes, që është zhvilluar në Angli, atje ku Lajpcigu ka marrë një fitore minimale, por të vyer në fushë të huaj ndaj Totenhemit.
Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndonëse duhet theksuar se kanë qenë miqtë që kanë qenë më të rrezikshëm në drejtim të portës së anglezëve. Fati i kësaj ndeshjeje do të vendoset në pjesën e dytë, në minutën e 57-të, kur Timo Verner ruan gjakftohtësinë dhe shndërron në gol një 11-metërsh të dhënë në favor të gjermanëve.