Adriatik Balla 22.10.2015 18:55
Suksesi i kualifikimit të Shqipërisë në Evropian zbriti në sheshet e qyteteve tona dhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e diasporë, mijëra tifozë, që nëpërmjet sportit dhe suksesit të përfaqësueses nuk nguruan të shprehin dëshirën për bashkim kombëtar, ëndrra më e madhe e shqiptarëve në më shumë se një shekull.
Por ndërsa festimet vijonin dhe gjithçka shkonte mirë e bukur, erdhi fërkimi i radhës mes Dukës e de Biazit, madje këtë herë me një temp zhvillimi që hedh dyshime të mëdha për shkakun e vërtetë të prishjes së marrëdhënieve midis tyre.
Duke folur për këtë “të papritur”, ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi, tha se një debat i tillë në këtë moment nuk i vlefshëm për askënd dhe se tani e tutje në këto marrëdhënie do të vendosë De Biazi, si trajner që ka fituar dhe fituesi sipas tij s’mund të gjykohet.
Ja dhe intervista e tij dhënë të përditshmes shqiptare “SOT”, të cilën AlbanianSport.com ua solli këtu, në dy pjesë, dje dhe sot, dhe sot është pjesa e dytë dhe e fundit e saj.
…Vijon nga dje
– Pra, debati i tanishëm nuk ka lidhje me kontratën, për sa kohë dhe në media dëgjojmë gjëra që nuk lidhen drejtpërdrejt me rinovimin. Është diçka tjetër, kjo është më se e qartë. Nuk po kërkojmë njerëz që rreshtohen në kampe, por mendime profesionisti. Sa qëndrojnë këto dyshime?
– Ne flasim për gjërat që shohim e dëgjojmë, por unë nuk e di se çfarë fshihet pas deklaratave të tyre. Nëse është fjala për meritat e kualifikimit, gjykoj se secili ka meritën e vet. Unë s’e mohoj që trajneri ka merita, sikurse dhe FSHF ka merita në organizim. Këtu nuk mund të bëhen krahasime, fjala vjen, me periudhën kur drejtoja unë, sepse janë kohë krejt të ndryshme. De Biazi pati mbështetje të madhe dhe u poqën kushtet që të kishim një arritje të rëndësishme. Në media mund të flasin të gjithë, secili ka mendimin e vet. Por duhet të kuptojmë se gjërat kanë ndryshuar nga edicioni i shkuar. De Biazi nuk është më i njëjti, është trajner që ka sukses dhe ofertat nuk do t’i mungojnë. Nëse nuk ia plotëson ti kërkesat, mund ta bëjë dikush tjetër dhe këtu federata mund të justifikohet.
– Zoti Hafizi, ata që kanë folur deri tani nuk janë teknikë, madje një pjesë as nuk kanë “haber” nga trajningu dhe akuzat ndaj de Biazit për paaftësi duken të tepruara. Si njohës i mirë i futbollit dhe me eksperiencë të gjatë, ç’mendim keni për trajnerin De Biazi? Teknikisht?
– Është e vështirë t’i bëhen kritika një trajneri që ka sukses. Ka një shprehje: “Fituesi nuk gjykohet” dhe mendoj se nuk na jep kush të drejtë nëse e bëjmë. Duke zbërthyer ecurinë e tij në krye të ekipit nga ana teknike lë vend për interpretim, por ai e ka realizuar sezonin. A ka mangësi? Natyrisht, jo çdo gjë shkon vaj. Gjatë sezonit pati dhe luhatje, ku duket qartë se mbrojtja ishte më lart dhe më efikase se sa sulmi. Në veçanti sulmi realizoi shumë pak, vetëm 7 gola, një shifër pothuajse e njëjtë me ekipet e 30 vjetëve më parë. Në këndvështrimin tim, në disa ndeshje mund të arrinte më shumë, sidomos ndaj Portugalisë dhe Serbisë. Por, e përsëris, në tërësi sezoni u realizua dhe t’i nxjerrësh trajnerit pikat e dobëta në këtë moment nuk shkon. Sa u takon fërkimeve të lindura, duhet të presim që të mësojmë të vërtetën.