AlbanianSport.com 24.10.2016 16:10
ASNN – Derbi “B” i kryeqytetit, ai midis Tirana B dhe Partizani B, i vlefshëm për Kategorinë e Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, është mbyllur në barazim 1-1. Ndeshja e luajtur në Kompleksin “Skënder Halili” në kryeqytet, nuk ka patur fitues. Fillimisht kalon në epërsi Partizani, me anë të Jaupajt, më pas barazon Tirana me Keqin.
Edhe njëherë vëmendja e sportdashësve kryeqytetas është përqendruar në derbin e vogël të kryeqytetit, atë midis skuadrave të dyta të Tiranës dhe Partizanit. Ky takim ishte i vlefshëm për Kategorinë e Dytë dhe u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Fillimisht kalon në epërsi Partizani me anë të Jaupajt.
Në minutën e 18-të të pjesës së parë, një harkim i bukur në zonë i Arbanës dhe Jaupaj, i vetëm, nuk e ka të vështirë ta dërgojë topin me kokë në rrjetë. Në të 34-ën minutë, Tirana B rrezikon me Peçin dhe Halilin, dy herë, por pa mundur të shënojë. Pjesa e parë do të mbyllej me epërsinë minimale të Partizanit.
Në të dytën, bardheblutë janë më këmbëngulës dhe arrijnë të shënojnë me anë të Keqit. Pikërisht në minutën e 79-të, një skemë e bukur e futbollistëve të Tiranës B e realizuar në mënyrë të saktë, e nxjerr të lirë Keqin brenda zonës që shënon dhe barazim 1-1. Me këtë rezultat mbyllet ky takim që u luajt në kompleksin sportiv “Skënder Halili” në Tiranë.