AlbanianSport.com 07/03/2019 23:55
ASNN – Liga e Evropës u rikthye të enjten në mbrëmje me ndeshjet e paratë saj në raundin e 16-shes, ku spikatën fitoret e skuadrave të mëdha, me përjashtim të Arsenalit dhe Interit, ku anglezët u mposhtën në Francë nga Rena, kurse Interi barazoi pa gola në Gjermani ndaj Eintrahtit të Frankfurtit. Padyshim, Arsenali zhgënjeu, por kjo erdhi pasi greku Sokratis Papastathopulos mori karton të kuq në minutën e 40-të dhe la skuadrën e tij me 10 vetë.
Deri në atë moment Arsenali po e fitonte ndeshjen 1-0. Por pasi mbeti me 10 vetë në fushë, skuadra angleze pësoi tre gola, një brenda pjesës së parë e dy të tjerë në pjesën e dytë, duke dalë i humbur nga ky duel i parë me Renenë. Megjithatë, Arsenali do ta ketë duelin e kthimit në Londër dhe ka një shans për përmbysje, megjithëse do të jetë shumë e vështirë. Ndërkohë, një tjetër skuadër që zhgënjeu ishte Interi, i cili barazoi me Eintrahtin e Frankfurtit 0-0.
Por ekipi italian ka një problem serioz që vijon gjatë javëve të fundit. Sulmi nuk arrin të shënojë dhe në Gjermani sot ishte e njëjta histori. Madje gjermanët mund të kishin fituar nëse fati nuk do të ishte me zikaltrit. Sa u përket ndeshjeve të tjera, Napoli mundi Salcburgun 3-0, ndërsa Çellsi mposhti Dinamon e Kievit po 3-0, duke u konfirmuar si dy skuadra që kanë shanse të kalojnë në këtë fazë, pra të shkojë në çerekfinale të Ligës së Evropës.
Përveç Arsenalit dhe Interi, zhgënjim pati dhe Sevilja, që nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 ndaj Slavias së Pragës, duke e vënë në diskutim kualifikimin, pasi ndeshja e kthimit do të luhet në Republikën Çeke.
Liga e Evropës 2018-2019
Ndeshjet e para të turit të 16-shes:
Dinamo Zagreb – Benfika 1-0
Eintraht Frankfurt – Inter 0-0
Renë – Arsenal 3-1
Sevilja – Sllavia Pragë 2-2
Zenit Shën Pjetërburg – Vijareal 1-3
Çellsi – Dinamo Kiev 3-0
Napoli – Salzburg 3-0
Valencia – Krasnodar 2-1