AlbanianSport.com 06.12.2014 22:50
ASNN – Volejbollistja shqiptare, Arjola Prenga, ka hedhur një hap të sigurt drejt një tjetër trofeu, pasi skuadra e saj, Stod Volej, ka triumfuar pa shumë probleme në gjysmëfinalen e Kupës së Norvegjisë, duke siguruar kështu vendin në finalen e madhe të 17-majit, ku do të gjejë përballë, për të tretën herë radhazi, rivalen kryeqytetase, Oslo Volejin. Kjo e fundit ka fituar para dy sezonesh, ndërsa Stod Voleji është hakmarrë sezonin e shkuar, duke bërë të vetin trofeun e dytë të volejbollit norvegjez të femrave.
Përsa i përket ndeshjes së sotme gjysmëfinale, ku skuadra e 28-vjeçares shqiptare pati përballë ekipin e Kollit, gjithçka është mbyllur në 3 sete. Megjithatë, kundërshtaret modeste kanë kërcënuar një surprizë në setin e parë, duke kryesuar në 5-1 dhe duke e ruajtur kryesimin deri në pikën e 17-të, kur Stod Volej arrin të rikthejë barazueshën. Pas kësaj, ky set nuk ka më histori, pasi skuadra e Prengës e fiton atë me rezultatin 25-21. Volejbollistja shqiptare realizoi dy pikë në këtë set, për të vijuar të pushojë në setin e dytë.
Kjo edhe për arsye se Stod Volej e fiton setin 25-14 dhe trajneri portugez, Andre Sa, mundohet t’i ruajë titullaret si Arjola Prenga, për dy sfidat e “Challenge Cup” në Evropë, ku norvegjezet do të përballen me sllovenet e Kamnikut. 28-vjeçarja është rikthyer në lojë në fundin e setit të tretë, duke realizuar edhe 3 pikë të tjera në këtë pjesë të fundit loje që u mbyll me shifrat 25-15. Në total, Stod Voleji realizoi 75 pikë, nga të cilat 44 vetë dhe 19 nga gabimet e kundërshtareve.
Ndërsa Kolli realizoi 50 pikë, mëse gjysma e të cilave, 26, erdhën nga gabimet e kundërshtareve. Duhet theksuar se për vetë përbërjen dhe nivelin cilësor që Stod Voleji gëzon, si kampione në fuqi e Norvegjisë, fituese në fuqi e Kupës së Norvegjisë, por edhe kampione e Ligës Nordike të volejbollit të femrave në dy sezonet e fundit, kjo skuadër ka një shpërndarje të gjerë të realizimit të pikë. Kjo dëshmohet edhe nga fakti se vetëm 2 nga 15 lojtaret që u aktivizuan sot, nuk arritën të shënonin pikë.
Përveçse sigurimit të vendit në finalen e madhe të Kupës së Norvegjisë, ku do të përballet me Oslon Volejin, Stod Voleji kryeson renditjen e kampionatit norvegjez, me 15 pikë, pas 5 fitoresh në aq takime, ku ka lëshuar vetëm dy sete, dhe me një pikë më tepër sesa rivalja nga kryeqyteti, është kualifikuar për në fazën finale të Ligës Nordike të Volejbollit për femra, si dhe është kualifikuar për në turin e 16-shes së “Challenge Cup”. Pra, Arjola Prenga dhe skuadra e saj po luftojnë në të gjitha frontet për trofe.