AlbanianSport.com 01.02.2015 23:05
ASNN – Volejbollistja e mirënjohur shqiptare, Arjola Prenga, i ka shtuar një tjetërtrofe kabinetit të saj të pasur, pasi skuadra e saj norvegjeze, Stod Volej, u shpall, për të tretin sezon radhazi, kampione e Ligës Nordike, një veprimtarie rajonale që mbledh së bashku skuadrat e Norvegjisë, Suedisë dhe Danimarkës.
Kjo veprimtari u zhvillua në Danimarkë dhe, në fazën finale të saj, ishin kualifikuar dy skuadrat më të mira norvegjeze, Stod Volej dhe Oslo Volej, skuadra suedez e Engelhormit dhe ajo daneze e Holtes. Kjo fazë finale u zhvillua me sistem grupi dhe ndeshjet u zhvilluan përgjatë 3 ditëve të fundjavës.
Në ndeshjen e parë, Stod Volej triumfoi në 4 sete në derbin norvegjez ndaj Oslo Volejit. Skuada e Prengës fitoi setin e parë 25-23, por kryeqytetaset fituan maratonën e setit të dytë në shifrat 29-27. Sidoqoftë, Stod Voleji fitoi setin e tretë 25-22, duke vijuar të fitonte edhe të katërtin me të njëjtat shifra, si dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 3-1.
Arjola ishte shënuesja më e mirë e skuadrës së saj 17 pikë. Në takimin tjetër të së premtes, Engelhormi mundi në 3 sete vendaset e Holtes. Në ndeshjet e së shtunës, Stod Voleji mundi Holten 3-1, në një takim ku Prenga shënoi 5 pikë. Norvegjezet fituan setin e parë dhe të dytë, përkatësisht 25-11 dhe 25-13.
Por vetëkënaqësia çoi në humbjen e setit të 3-të, në shifrat 27-25. Sidoqoftë, skuadra e shqiptares nuk ka toleruar më, duke u kundërpërgjigjur në setin e 4-t, të cilin e ka fituar 25-12 dhe gjithë ndeshjen 3-1. Me të njëjtat shifra, Engelhormi mundi Oslo Volejin, në takimin tjetër të së shtunës.
Ndërkaq, të dielën, norvegjezet e Stod Volejit u përballën me suedezet e Engelhormit, në atë që ishte në fakt një finale, midis dy skuadrave që i kishin fituar 2 ndeshjet e para. Por Stod Voleji nuk i ka lënë asgjë rastësisë, duke ruajtur përqendrimin nga fillimi deri në fund dhe duke fituar në 3 sete.
Në setin e parë të këtij takimi, ku Arjola shënoi 12 pikë, Stod Voleji fitoi 25-23, duke vijuar të dominojë edhe të dytin, të cilin e fitoi me shifrat 26-17. Në setin e tretë, suedezet janë munduar të reagojnë, por nuk shkojnë më tepër sesa 21 pikët, pasi Stod Voleji dhe Prenga fitojnë 25-21 dhe gjithë ndeshjen 3-0.