AlbanianSport.com 30.11.2014 21:55
ASNN – Sportistja shqiptare, Arjola Prenga, vazhdon të korrë fitore me skuadrën e saj norvegjeze të Stod Volejit dhe, pas triumfit të dyfishtë ndaj holandezeve të Sliedreht Sportit, që i siguroi para pak ditësh vendin në turin e 16-shes së Kupës së Evropës “Çellenxh Kap” (Challenge Cup), ajo ka regjistruar një tjetër sukses, këtë radhë në takimin e radhës të kampionatit norvegjez të volejbollit për femra.
Në takimin e zhvilluar sot pasdreke, ku skuadra e shqiptares ka qenë mysafire në Alesund për t’u përballur me Blind’haimin vendas, Prenga ka realizuar 10 nga pikët e skuadrës së saj, apo thënë ndryshe afro 16 % të gjithë totalit prej 92 pikësh të realizuara nga Stod Volej, nga të cilat 30 erdhën si pasojë e gabimeve të ekipit kundërshtar.
Kampionia në fuqi e Norvegjisë e fitoi bindshëm setin e parë, me shifrat 25-9, por eksperimentet e tepruara të trajnerit portugez, Andre Sa, me skemat e lojës dhe me shpërndarjen e topave, bënë që Stod Volej ta humbiste setin e dytë me rezultatin 14-25, duke bërë që gjendja e seteve të barazohej në 1-1. Rikthimi në normalitet i taktikave, duke i dhënë volejbollistes shqiptare rolin e saj udhëheqës, dha shpejt frytet e veta.
Stod Volej e fiton setin e tretë 25-14, duke vijuar të jetë papërmbajtshëm në atë të katërtin, të cilin e fiton me shifrat e pazakonta 25-7 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 3-1. Duhet theksuar fakti se si rrjedhojë e taktikës së gabuar të zgjedhur nga trajneri portugez i Stod Volejit, plot gjysma e pikëve, pra 28 nga 56 të realizuara nga Blind’haimi, erdhën si rrjedhojë e gabimeve të skuadrës së Prengës.
Me fitoren e sotme, Stod Voleji është rikthyer në krye të renditjes së kampionatit norvegjez të volejbollit për femra, me pikë të plota, 15, pas 5 triumfesh në po aq ndeshje ku kanë lëshuar gjithsej vetëm dy sete. Skuadra e Prengës ka një pikë më tepër se rivalja kryesore, Oslo Voleji, e cila ka luajtur një ndeshje më tepër, ndërsa në vendin e tretë ndodhet Sortlandi, me 12 pikë në 5 ndeshje.
Përveçse ka siguruar vendin në turin e 16-shes së Kupës së Evropës “Çellenxh Kap” (Challenge Cup) Stod Voleji është kualifikuar për në gjysmëfinalen e Kupës së Norvegjisë, ku është edhe fituese në fuqi, dhe do të përballet në mesin e janarit të vitit të ardhshëm, me ekipin e Kollit. Po kështu, skuadra e Prengës është kualifikuar edhe për në fazën finale të Ligës Nordike, ku gjithashtu është kampione në fuqi.