Gjergj Vyshka 02.10.2014 17:40
Trajneri i Apolonisë, Elidon Demiraj, është ankuar në prag të ndeshjes me Dinamon se skuadra e tij ka prodhuar deri më tani shumë lojë, por nuk ka mundur të finalizojë dhe të marrë më pas fitoren. Por pas ndeshjes së djeshme me blutë ka pranuar se kjo ishte fitore morali për skuadrën e tij.
“Ne kishim nevojë për këtë fitore, sepse objektivi ynë parësor ishte kalimi i raundit të Kupës në përballjen me Dinamon, – ka deklaruar kreu i pankinës fierake. – Skuadra ka luajtur mirë dhe më vjen mirë që ka arritur tek goli, sepse ashtu siç dhe ju thash kemi prodhuar shumë në ndeshjet e tjera dhe nuk kemi marrë atë që duhet.”
“Tani kjo fitore do të jetë morali për ndeshjen e ardhshme ndaj Elbasanit, – ka vijuar Demiraj. – Unë mendoj se është një kampionat i vështirë, atje ku nuk mund të nënvlerësohet askush. Ne kemi si objektiv fitoren në këtë ndeshje dhe nuk është aspak problem për ne se ku do të luhet në Pogradec, apo Elbasan.”
“E rëndësishme është se Apolonia u shfaq mirë në fushën e lojës”, – ka përfunduar trajneri i Apolonisë, Elidon Demiraj