AlbanianSport.com 06.11.2014 21:45
ASNN – Fierakët kanë dalë fitues në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë kundër “Djemve të detit”. Duket se të dyja ekipet e kanë pasur mendjen më shumë për ndeshjen në kampionat, pasi në këtë takim kanë aktivizuar formacionet e dyta. Ka qenë Apolonia që është dukur më kërkuese në minutat e para, por një ndërhyrje e parregullt e Andonit në minutën e 16-të u ka dhënë miqve të drejtën e një 11-metërshi.
Magalaesh gjuan nga pika e bardhë, por Miço ka kuptuar krahun dhe ka grushtuar, duke shmangur golin. Pavarësisht disa rasteve të tjera të bardhejeshilëve, në një aksion të rrjedhshëm të skuadrës mike, në minutën e 36-të, Kotobelli do të krosojë saktë tek Hoxha, i cili gjuan saktësisht me kokë dhe kalon Teutën në epërsi. Do të jetë ky moment vendimtar i pjesës së parë, rezultat me të cilin skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes.
Në pjesën e dytë ka më tepër ritëm dhe këmbëngulje nga ana e Apolonisë, që kërkon me insistim golin e barazimit. Dhe e arrin shumë shpejt. Është Naçi që ka realizuar pas një aksioni personal në minutën e 52-të dhe pa kaluar as 180 sekonda, Mahilaj, do të përmbys gjithçka në favor të skuadrës së tij. Një epërsi e merituar për Apoloninë. Durrsakët bëjnë pak përpjekje për të ndryshuar shifrat, ndërsa fierakët ndihen të sigurt në avantazhin e krijuar dhe luajnë qetë deri në fishkëllimën e fundit të bilbilit.
Fati i kualifikimit duket se do të vendoset në ndeshjen e kthimit, ku të dyja skuadrat kanë mundësi kalimin e turit.
Apolonia – Teuta 2-1
Shënues: Naçi 52’, Mahilaj 55’ / Hoxha 36’
Apolonia: Miço, Nako, Kaja (Fili 62’), Broshka, Tomson, Dosti, Andoni, Mahilaj, Naçi, Rajkoviç (Kondakçi 19’), Hysenshahaj (A. Prifti 58’). Trajner: E. Demiri
Teuta: Rizvani, Krasniqi (Hyseni 68’), R. Hoxha, Ahmataj, Kotobelli, Hodo (Koreshi 24’), Deliallisi, Mokitar, Magalaesh, Hoxhallari (Mile 49’), Dita. Trajner: H .Lika
Gjyqtarë: B. Ziri, E. Veseli, Sh. Ziri (Fushë-Krujë)