AlbanianSport.com 13.04.2015 15:45
ASNN – Duke fituar dje në Fier 2-1 me Flamurtarin, duket se Apolonia i ka shtuar shanset e saj të mbijetesës. Në minutën e 13-të, për fierakët ka shënuar Ribaj, por pas pesë minutash ka barazuar Bregu. Dhe me rezultatin 1-1 të dyja skuadrat kanë shkuar në dhomat e zhveshjes.
Në pjesën e dytë atëherë kur të gjithë po e mendonin ndeshjen në barazim, Fili i ka dhënë shansin artë Apolonisë për të menduar mbijetesën. Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi, tha: “Jemi në një seri pozitive të lojërave, por sot arritëm një fitore që na mban shpresat gjallë.”
“Tani i kemi të gjitha mundësitë për të kërkuar mbijetesën, – ka vijuar kryeqytetasi i stolit fierak. – Ka qenë një ndeshje shumë e tensionuar dhe kjo shpjegon faktin që shpërdoruam shumë. E përgëzoj skuadrën për karakterin e treguar. Kishim shumë mundësi, por fitoi skuadra që e meritoi më shumë.”
“Kemi mungesa të mëdha duke pasur parasysh që në stol kishim 3 lojtarë nga të rinjtë. E rëndësishme është që të punojmë në kushte optimale dhe të ketë seriozitet. E kemi treguar se jemi një skuadër dinjitoze dhe shpresoj që të qëndrojmë në Kategorinë Superiore”, – ka përfunduar trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi.