AlbanianSport.com 15.08.2015 12:00
ASNN – Trajneri: “Kemi ruajtur grupin dhe me pak përforcime do të jemi pretendent për sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit shqiptar, atje ku u larguam aksidentalisht”. Trajneri i Apolonisë, Artan Mergjyshi, është optimist për sezonin e ardhshëm futbollistik, ndërsa skuadra e tij do të luajë në Kategorinë e Parë, pas një viti në Superiore. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Mërgjyshi beson se ekipi i tij nuk do të qëndrojë gjatë në ligën inferiore dhe do të rikthehet sërish në elitë.
“Jemi duke punuar në asnjë ambient të qetë, i cili është gjithmonë konstant te skuadra e Apolonisë dhe po përgatisim sezonin e ardhshëm. Mund të them se në krahasim me rivalët jemi disi më të përpara, pasi kemi në përbërje të grupin e lojtarëve të sezonit të kaluar. Gjithsesi nuk mund të themi se ky është një barometër, pasi edhe kundërshtarët janë përforcuar ndjeshëm dhe ne duhet të japim më të mirën tonë. Kategoria e Parë është mjaft e vështirë dhe ka specifikën e saj në krahasim me Superioren. Ne e dimë se të jesh sërish pjesë e ekipeve më të mira të kampionatit nuk është e lehtë, por Apolonia është një nga pretendentet kryesore në grupin ku bën pjesë për ta arritur një gjë të tillë dhe për t’u rikthyer sërish aty ku e ka vendin”, ka thënë tekniku kryeqytetas, që edhe sezonin e kaluar ka bërë një punë mjaft të mirë me fierakët duke shpresuar deri në fund për mbijetesën në Superiore.