AlbanianSport.com 09.02.2015 08:45
ASNN – Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Femra ka luajtur dje dy takimet e fundit të javës së tij të 15-të dhe Apolonia është rikthyer në krye, teksa dje në Durrës ka mundur Tiranën. Diferencat me skuadrën bardheblu të trajnerit Erdal Borova, edhe pse kjo e fundit ka dy malazeze, janë dukur që në fillim. Madje fieraket e Grevës nuk duket se kanë pasur nevojë për përforcimin më të fundit dhe më të bujshëm, amerikanen Aleksis Lov.
Kjo sepse në fushë kanë luajtur basketbollistet që e kanë mbajtur deri tani në krye Apoloninë. 24-15 është pjesa e parë për Apoloninë. Bardheblutë janë përpjekur të ngushtojnë dhe e kanë fituar pjesën e dytë 15-18, dhe në pushim 39-33 për Apoloninë.
Në dy të tjerat nuk ka më tolerime nga fieraket kanë fituar në fund 86-75. Ndërkohë Skënderbeu e ka pasur si ndeshje stërvitore atë me Përmetin, të cilën e ka fituar me rezultatin e thellë 83-45.
Dhe tashmë korçaret e Papës janë në vendin e katërt në renditje. Të premten, Kamza Basket ia ka dalë të jetë fituese ndaj Studentit, në shifrat 44-40, në takimin e parë të javës së 15-të, ndërsa të shtunën, Flamurtari ka bërë mirë “detyrat e shtëpisë”, duke fituar me shifrat 80-55 në Vlorë ndaj Vllaznisë. Për këtë arsye, kampionet në fuqi, që drejtohen nga trajneri Viron Toska, e kanë gdhirë kështu të dielën si kryesuese të renditjes.
Por tashmë vendi i parë i takon Apolonisë, me 26 pikë, po aq sa kanë edhe vlonjatet, ndërsa Tirana ka mbetur prapa, me 22 pikë, në vendin e 3-të të renditjes. Ndryshe nga fieraket dhe kryeqytetaset, vlonjatet kanë luajtur një ndeshje më tepër. Vendi i 4-t mbahet hëpërhë nga Skënderbeu, me 21 pikë, por korçaret ndjejnë nga prapa presionin e Studentit, që ka një pikë më pak, por edhe të Elbasanit, që janë përfshirë në një betejë treshe për biletën e fundit që të çon në “play-off”-in final të titullit.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Java e 15-të
(6-8 mars 2015)
Të premten:
Kamza Basket – Studenti 44-40
Të shtunën:
Flamurtari – Vllaznia 80-55
Të dielën:
Skënderbeu – Përmeti 83-48
Apolonia – Tirana 86-75
Elbasani pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Apolonia 13 13 0 1137-758 26
- Flamurtari 14 12 2 1163-812 26
- Tirana 13 9 4 1036-845 22
- Skënderbeu 13 8 5 914-878 21
- Studenti 14 6 8 851-806 20
- Elbasani 13 6 7 874-962 19
- Vllaznia 14 3 11 929-1017 17
- Kamza Basket 13 3 10 724-847 16
- Përmeti 13 0 13 591-1180 13