AlbanianSport.com 15.09.2016 10:40
ASNN – I sigurt duket fakti se skuadra fierake do të jetë e fortë për çdo kundërshtar, por pretendimet mund të përcaktohen nga paraqitja e bardhejeshilëve në ndeshjet e para. Apolonia ka përjetuar shumë ndryshime gjatë kësaj vere në stafi dhe në grupin e futbollistëve. Me largimin e shumicës së titullarëve të sezonit që shkoi pati shumë skepticizëm, madje deri në atë pikë se skuadra fierake do ta ketë të vështirë edhe mbijetesën në Kategorinë e Parë.
Por realisht nuk është kështu, sepse stafi drejtues i klubit dhe ai teknik, me në krye trajnerin Elidon Demiraj, e kanë ndryshuar situatën. Janë afruar disa lojtarë të rinj, vendës dhe të huaj, të cilët i përshtaten politikës së klubit bardhejeshil. Skuadra ka reaguar mirë në disa miqësore, që kanë qenë të shumta për fierakët, sepse ishin të domosdoshme për shkak të konsolidimit të grupit, duke pasur parasysh largimet dhe afrimet e merkatos.
E ndërkohë që po afron starti i kampionatit, klubi Apolonia është i qetë në lidhje me detyrimet në FSHF, ndryshe nga shumë klube të tjera në vend të Kategorisë së Parë. Probleme mbetet hedhja e kalendarit, pasi stafi teknik duhet të dijë sa më parë se më çfarë kundërshtarët do të luajë javën e parë e në vazhdim. Fakti që Apolonia nuk ka një objektiv të qartë mund të ndikojë pozitivisht në kampionat, sepse mbi skuadrën nuk do të ketë presion.