AlbanianSport.com 15.09.2016 16:10
ASNN – Po çfarë Apolonie do të shohim sezonin e ri? Në këtë moment nuk ka një objektiv të qartë të shpallur nga klubi, përveç atij të përfaqësimit me një skuadër dinjitoze, që të luajë futboll me nivel. Vetë ndryshimi i strategjisë nga drejtuesit e klubit fierak bën që të mos ketë një objektiv fiks, megjithatë është e kuptueshme që Apolonia do të mbetet ajo skuadra që i hap punë çdo kundërshtari, edhe rivalëve që kanë investuar shumë për ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.
Javët e para të kampionatit do të tregojnë se deri ku mund të shkojë kjo skuadër e riformatuar thuajse totalisht. Disa titullarëve që kanë qëndruar tek Apolonia, siç janë kapiteni Dimo, mbrojtësit Broshka e Balaj, mesfushorët Hysenshahaj dhe Uzuni, si dhe sulmuesi Krasniqi, u janë bashkuar lojtarë të rinj të talentuar nga vendi, Maqedonia e Kosova, ndërkohë që një shans i artë mund të konsiderohet sezoni i ri për disa të rinj të tjerë të ardhur nga akademia e klubit fierak.
Këta të fundit kanë talent dhe premtojnë për të ardhmen, por këtë duhet ta vërtetojnë në fushë, pasi është normale që do të kenë më shumë minuta në dispozicion. Fakti që Apolonia nuk ka një objektiv të qartë mund të ndikojë pozitivisht në kampionat, sepse mbi skuadrën nuk do të ketë presion. Nëse fierakët bëjnë një nisje të mbarë, nuk është çudi që gjatë rrugës të rriten pretendimet, pse jo dhe për të qenë në krye të grupit të Jugut në Kategorinë e Parë. Në këtë sens, javët e para do të jenë shumë domethënëse për sezonin e ri.