AlbanianSport.com 14.04.2015 12:30
ASNN – Flamurtari-Apolonia do të jetë finalja me pesë takime për të përcaktuar skuadrën “kampione” në këtë sezon të basketbollit për femra. Në duelet gjysmëfinale, Flamurtari ka mposhtur Tiranën pas 3 takimesh, ndërsa Apolonia e ka mbyllur në 2 takime përballjen tjetër me Skënderbeun.
Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Femra ka mbyllur fazën gjysmëfinale dhe të mërkurën nis duelin final për titull, në të cilin kanë mbërritur Apolonia dhe Flamurtari, dy skuadrat që padyshim i kanë dhënë tonin këtij sporti në Shqipëri gjatë këtyre viteve të fundit.
Në bazë të formulës së përcaktuar paraprakisht, finalja do të luhet me 5 ndeshje dhe “kampione” shpallet skuadra që fiton 3 prej këtyre takimeve. Fieraket, që e mbyllën sezonin e rregullt në krye të renditjes, e kanë siguruar finalen e madhe të basketbollit për femra duke mundur në takimin e dytë të “play-off”-it Skënderbeun dhe duke e bërë të panevojshme ndeshjen e tretë.
Ndërkaq, pasi ka humbur ndeshjen e parë në Vlorë, por ka fituar të dytën në Tiranë, Flamurtari ka triumfuar edhe në takimin e tretë ndaj Tiranës, të luajtur në Vlorë dhe tashmë shkon sërish me objektivin drejt titullit “kampion” përballë Apolonisë. Ka qenë një ndeshje me dy tablo në Vlorë.
Ndërsa Tirana, ashtu si edhe në ndeshjen e dytë në kryeqytet, edhe pse është gjendur në epërsi vazhdimisht, nuk ka mundur dot t’i bëjë ballë skuadrës kampione në fuqi. Duhet theksuar se takimi i tretë ka patur nerva,tensione dhe mes lojtareve në parket, por në fund fiton Flamurtari, që tashmë kërkon sërish titullin “kampion”.