AlbanianSport.com 11/11/2018 19:20
ASNN – Java e 9-të e Kategorisë së Parë, që ka nisur të shtunën dhe mbyllet të hënën, ka luajtur të dielën një tjetër takim dhe Apolonia është mundur me një gol të vetëm nga Egnatia. Takimi i luajtur Stadiumin “Loni Papuçiu të Fierit, është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport. Apolonia është ndëshkuar në sekondat e fundit në shtëpia nga Egnatia, duke u mundur me një gol të vetëm.
Pjesa e parë e ndeshjes së luajtur Stadiumin “Loni Papuçiu të Fierit ka qenë e vakët në lojë dhe në raste. Omeri ka një mundësi të mirë për vendasit në minutën e 6-të, por i vetëm përballë portieri mik, gabon krejtësisht, duke shpërdoruar një rast të volitshëm për shënim. Gjysmëora që do të vijojë do t’i shohë të dyja skuadrat që të kujdesen për tepër për prishur lojën e kundërshtares sesa për të ndërtuar aksione të mirëfillta për të shkuar tek goli.
Për rrjedhojë, edhe raste kanë munguar dhe të vetmet që duhen përmendur janë disa goditje dënimi, që sidoqoftë nuk kanë arritur të prodhojnë rrezik në katërkëndëshat përkatës. Megjithatë, nga një e tillë është Apolonia që rrezikon seriozisht me fillimin e minutës së 39-të, kur mbrojtja rrogozhinase për pak sa shkakton autogol, por portieri Haremi tregohet i vëmendshëm dhe grushton bukur, duke e mbajtur të paprekur rrjetën e portës së tij.
Me një tjetër goditje të lirë, por të pashfrytëzuar të fierakëve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat nisin me një njëjtën tablo, me Apoloninë më kërkuese, por që u falet kryesisht goditjeve të lira. Një e tillë është edhe ajo e minutës së 76-të, kur askush nga futbollistët fierakë nuk ka arritur të përfitojë nga pasiguria e mbrojtjes mike dhe topi ka përfunduar jashtë kuadratit. Përgjithësisht, kjo ndeshje nuk u ngrit dot mbi nivelin mesatar.
Por, pas 4 minutave shtesë në fund dhe një goditjeje tjetër të lirë, por të pashfrytëzuar nga fierakët, një gabim foshnjarak i portierit vendas, Harizi, i cili ra në fakt edhe viktimë e terrenit të keq të fushës së “Loni Papuçiut”, i dhuron fitoren Egnatias, që ngjitet në vendin e 3-të, me 16 pikë, ndërsa Apolonia mbetet e 8-ta, me 10.