AlbanianSport.com 27.09.2014 09:17
ASNN – “Në fakt, nisur dhe nga pozitat tona në renditje, e kishim vlerësuar në maksimum këtë ndeshje”, – ka deklaruar trajneri i Apolonisë, Elidon Demiraj, duke folur pas humbjes minimale që skuadra e tij pësoi në fushën e vet përballë Kukësit, në takimin e vlefshëm për javën e 6-të të Kategorisë Superiore.
“Aq më tepër që kishim përballë një skuadër të fortë dhe të vështirë si Kukësi, i cili brenda ka kualitete, – ka vijuar ai. – Skuadra është munduar të zbatojë me përpikmëri të gjitha detyrat e ngarkuara, madje deri diku e ka bërë këtë gjë. Por fati nuk na deshi dhe nuk na ndihmoi në këtë ndeshje, për të marrë qoftë dhe një pikë.”
“Me këtë nuk dua të justifikohem për humbjen, sepse disfata është disfatë dhe nuk ka emër tjetër, – ka pohuar kreu i pankinës së skuadrës fierale. – Fajësoj veten time për këtë që ndodhi, sepse duhet të kisha gjetur të tjera mënyra për ta çuar skuadrën në marrjen e pikës.”
“Na dalin detyra të reja në ndeshjen e ardhshme ndaj Elbasanit, atje ku shpresojmë të bëjmë më të mirën e mundshme dhe të kthehemi me pikë”, – ka përfunduar trajneri i Apolonisë, Elidon Demiraj.