Gjergj Vyshka 02.10.2014 11:10
I pari i pankinës së bluve, Mehmeti, “ngel në klasë” një pjesë të mirë të lojtarëve të tij. Homologu Demiraj i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, tashmë pritet surpriza ndaj Elbasanit. Apolonia ka bërë “poker” dje ndaj Dinamos, në fushën e ish-kompleksit blu, teksa kështu ka hipotekuar kualifikimin për në raundin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Nëse Dinamo e Mehmetit ka luajtur me formacionin e dytë, apo të tretë, sepse një pjesë e mirë e futbollistëve kanë qenë të rinj, fierakët, edhe duke e konsideruar ballafaqimin me blutë si një ndeshje kontrolli, kanë aktivizuar titullarët e tyre.
Dhe pavarësisht fakti se në stol kanë qenë Gërxho, apo dhe Canka, pjesa tjetër e verdhejeshilëve ka qenë më agresive në fushën e lojës. Dinamo ka luajtur me një skemë taktike 4-4-2. Që do të thotë se në mbrojtje ishin në të djathtë Xhixha, në qendër Xhafa e Shkalla, në të majtë Imami. Në mesfushë, Matraku i djathtë, Milushi e Kllari në qendër dhe Tahiraj në të majtë. Kurse në sulm së bashku me Sorrën edhe Dori. E megjithatë, Dinamo nuk ka arritur të bindë, ndërsa i ka pasur të rralla sulmet drejt portës fierake.
Përkundrazi miqtë janë të rrezikshëm, ndërsa një gjuajtje të Erkoçeviç e ka larguar te vija “fatale” e portës blu Milushi. Por goli del shpejtë dhe Mitraj ka ditur të shënojë në minutën e 21-të. Fierakët ushtrojnë presion dhe ndeshja e humb bukurinë kur brenda një minute, Erkoçeviç dhe Rajkoviç kanë shënuar në portën e Gugës. Sapo ka nisur pjesa e dytë ka ardhur dhe goli i katërt i fierakëve, që mban firmën e Rajkoviç. Dhe në këtë rezultat, të dyja skuadrat kanë bërë zëvendësime. Për t’u evidentuar është një goditje trau nga Imami me goditje dënimi, por që ishte pak për atë që pretendon në fakt Dinamo dhe tifozët e saj.
Dhe me fitoren 4-0, Apolonia është larguar e kënaqur me idenë për të pasur një moral më të lartë për ndeshjen e fundjavës në kampionat ndaj Elbasanit në transfertën e Pogradecit.
Dinamo – Apolonia 0-4
Shënues: Mitraj 21’, Erkoçeviç 37’, Rajkoviç 38’, 59’
Dinamo: Guga, Xhixha, Shkalla, Imami, Kllari, Xhafa, Tahiraj (Laçi 53’), Milushi (Asllanaj 52’), Sorra, Dori (Shyti 46’), Matraku. Trajner: D. Mehmeti
Apolonia: Miço, Thomson, E. Xhafa (Mahilaj 48’), An. Prifti, Broshka, Fili, Andoni, Dosti, Mitraj (Al. Prifti 53’), Erkoçeviç, Rajkoviç (Canka 58’). Trajner: E. Demiraj
Gjyqtarë: E. Hamiti, P. Simoni (Lezhë), R. Mersini (Durrës)
Karton i verdhë: Dosti